Main navigation

Memorandum

Nuk arrij të konceptoj asgjë që përjashton ndjenjën e misterit, nuk e konsideroj kurrë të natyrshme natyrën. Për mua personazhet, objektet apo peisazhet janë gjithmonë të panatyrshëm, që do të thotë, të fshehtë.
– Pierpaolo Pasolini

“Memorandum” prezanton veprat e tre artistëve që përdorin mjete shprehëse të ndryshme: Doherty përdor video instalacionin, Campanini pikturën dhe fotogravurën, De Lazzari vizatimin. Të tre artistët kanë të përbashkët studimin e vëmendshëm dhe të ndjeshëm të realitetit në zbulimin e “ të përditshmes” dhe “ të natyrshmes”, në kërkim të zonave sekrete, hapësirave ambivalente dhe kujtimeve të fshehura. Në qasjen e secilit nuk vërehen gjurmë mistifikuese, por gjithçka përshkohet nga një perde e hollë misteri i cili disa herë paraqitet në formën e ndërtimeve komplekse e herë të tjera zhvillohet në hapësira familjare, por gjithsesi të ngarkuara me të panatyrshmen. Duke parë punimet e tyre duket sikur natyra është përshkuar nga një histori e cila ka lënë gjurmët e saj. Nganjëherë këto gjurmë shfaqen si plagë e herë të tjera si ndërtime imagjinare. Ne nuk asistojmë në momentet e këtij përshkimi, por një çast më vonë kur çdo gjë paraqitet e heshtur dhe e mbushur me kujtesë. Është pikërisht shikimi i vëmendshëm i artistëve i cili bëhet dëshmitar i këtyre proçeseve e në të njëjtën kohë vepron në mënyrë aktive mbi to. Shikimi nuk është i pafajshëm. Ai penetron në mënyrë aktive, por pikërisht falë tij që ne bëhemi pjestarë të bukurive të fshehura që na ofrohen përmes gjuhës artistike.