Main navigation

EKRANI I ARTIT 2023

BOOKLET

Edicioni i 6-të i ‘Ekrani i Artit’ vjen me disa risi, por edhe rikthime. Për herë të parë festivali do të ketë një ditë fokusi, të dedikuar filmit dhe videoartit në Suedi. Gjithashtu, aktiviteti rikthehet në hapësirën e ‘Kinema Millenium’, vendin nga ku nisi udhëtimin e tij gjashtë vite më parë, duke vënë theksin në nevojën që filmi ka për kinemanë si shtëpia e tij e natyrshme, por edhe në nevojën që kinemaja ka për publikun. Ndërkohë vazhdon vëmendja ndaj filmit eksperimental dhe videoartit si dhe bashkëpunimin disa vjeçar me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër që zhvillohet në Oberhausen, Gjermani.

‘Art House’ ka kënaqësinë të prezantojë drejtorin artistik të këtij edicioni, kuratorin dhe kritikun e mirënjohur, Edi Muka i cili ka shprehur entuziazmin e tij për ftesën dhe angazhimin në ‘Ekrani i Artit’ 2023. ‘Programi i sivjetshëm, ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, është rezultat i një proçesi dialogu mes grupit përzgjedhës. Filmat në program i përshkon një fill ndërlidhës i cili del në pah përmes dy tipareve kryesore: forca e filmit si një mjet rrëfimi, dhe një vëmendje e posaçme ndaj ‘rrëfimeve të tjera’, alternative, që gjenden kudo përreth nesh, por që ekzistojnë përtej asaj që na përcillet si rrëfenja mbizotëruese mbi botën dhe shoqërinë.’ – është shprehur mes të tjerash drejtori artistik i ‘Ekrani i Artit’ 2023, Edi Muka.

Rrëfimet frymëzojnë,informojnë, por edhe ndërtojnë një proces reflektimi duke na njohur me të shkuarën e duke na mundësuar të përfytyrojmë të ardhmen. Rrëfimet gjithashtu, mund edhe të keqpërdoren, të manipulojnë dhe të kthehen në propagandë për pushtetin, cilado qoftë forma e tij. Programi i këtij edicioni sjell filma e video nga artistë nga e gjithë bota të cilët përcjellin rrëfenja të patreguara apo të anashkaluara. Ato na flasin mbi trashëgiminë e kolonializmit mbi botën në të cilën jetojmë, për margjinalizimin e komuniteteve, ngritjen e racizmit në sistem si dhe ndikimet negative në mjedis. Por, filmat përcjellin edhe përpjekjet dhe arritjet shpresëdhënëse të lëvizjeve të ndryshme popullore në kërkim të drejtësisë sociale, si dhe i japin vend poezisë piktorike të imazhit dhe magjepsjes nga bota përtej njerëzores që na rrethon. Filmat e këtij edicioni do të shohin dritën në hapësira të ndryshme si ‘Kinema Millenium’, ‘Art House’ dhe ‘Galeria e Arteve Shkodër’. Ndërsa forca magjike e këngës dhe vallëzimit shpaloset në programin e posaçëm që do të shfaqet në ‘Bed Station’, ku do të shikojmë video të krijuara në bashkëpunim mes artistëve të artit pamor dhe këngëtarëve të njohur të muzikës pop, hip-hop dhe elektro.

‘Ekrani i Artit’ do të vazhdojë me rolin e tij të pazëvendsueshëm si pikë takimi për artistë të rinj shqiptarë dhe kuratorë e profesionistë nga bota përmes prezantimit të portfoliove artistike si dhe me aktivitetin edukativ dhe punëtorinë me fëmijë, të realizuar në bashkëpunim mes shkollave ‘Ismail Qemali’ në Shkodër, ‘Istituto Schweizer’ në Termoli dhe ‘Istituto Comprensivo Costantino Nigra’ në Torino, të cilët, nën mbikqyrjen e ‘Fondacionit Merz’, kanë punuar rreth poetikës krijuese të artistes Marisa Merz.

Fokus: Suedia

Për herë të parë ‘Ekrani i Artit’ provon një format të ri – një ditë programi dedikuar filmit dhe videos nga një skenë e caktuar artistike. Përmes bashkëpunimit me arkivin e filmave të artistëve, ‘Filmform’ dhe Ambasadën Suedeze në Tiranë, Ekrani i Artit do të prezantojë një përzgjedhje të pasur filmash historikë dhe bashkëkohorë, eksperimentalë, dhe dokumentarë artistik nga artiste/ë e regjisore/ë suedeze.

Për këtë edicion të 6-të, ‘Ekrani i Artit’ do të mbajë dy konferenca për shtyp: më datë 30 maj 2023, ora 11:00tek ‘Art House’ në Shkodër dhe më 31 maj 2023, ora 11:00 tek Bazament Art Space në Tiranë.

 

Ekrani i Artit 2023 mundësohet nga:

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Bashkia Shkoder, Instituti Italian i Kulturës, Goethe-Zentrum, Ambasada Italiane, Ambasada Suedeze, Film Form, Art Nexus, Art House, Galeria e Arteve Shkodër, Bedstation, Oberhausen Film Festival, Qendra Rinore Arka, Fondazione Merz, Coca Cola, Banca Intesa San Paolo, Qendra Rinore Atelie, Ministria e Kulturës, Swedish Film Institute, Akademia Marubi, Anima Pictures, Galeria Chantal Crousel, GR Gallery