Main navigation

Lëkura në huazim

Ekspozitë personale e artistit Idlir Koka kuruar nga Stefano Romano 

Marrja e lëkurës hua është metafora e përdorur nga Idlir Koka për këtë seri pikturash të realizuara gjatë vitit të fundit. Piktura që na flasin për trauma, vuajtje, dyshime; të hetuara pikërisht duke nisur nga vijat e lëkurës, nga shenjat që rrobat e veshura lënë mbi të, ose nga shenjat që zgjedhim me vetëdije t’ia bëjmë lëkurës sonë, si tatuazhet. Shenja që tek objektet shndërrohen në çarje, të lëna nga përdorimi dhe konsumimi i përditshëm që u bëjmë atyre.

Lëkura, organi ynë më i madh, pragu midis trupit tonë dhe botës jashtë nesh – a mund të jepet hua? Në shqip ekziston shprehja “të futesh nën lëkurën e tjetrit”, e cila shpreh pikërisht këtë kalim, të kësaj metafore që përkthehet vizualisht në një lloj hiperendjeshmërie të pavetëdijshme ndaj tjetrit, qoftë ai një qenie e gjallë apo një objekt që na rrethon në jetën tonë të përditshme. Ajo që artisti na tregon nuk është ndjenjë mëshire apo melankolie, por më tepër një vështrim i afërt mbi identitetin personal: timin, tëndin, të tijin, tonin. Aty ku kufijtë midis asaj që jam unë dhe asaj që je ti, përzihen e thuajse humbasin, të zëvendësuar nga një dridhje që lind nga vetë materia piktorike, e përbërë nga njolla që, njëra pranë tjetrës, përzihen duke bashkuar kujtesën, ironinë dhe një ndjesi të caktuar mospërshtatjeje.

Personazhet në piktura duken sikur pyesin veten – dhe na pyesin edhe ne – për vetë qenien e tyre; qofshin ata qenie të gjalla apo objekte të jetës sonë të përditshme. Sipërfaqet “të shënuara” që na tregon artisti krijojnë një lloj arkivi gjurmësh dhe shtypjesh, që në një mënyrë apo tjetër janë të pranishme dhe të dukshme brenda dhe jashtë nesh, duke thyer një tjetër kufi për shikuesin: atë midis të brendshmes dhe të jashtmes. Ato kthehen në një arkiv kujtese të dramave, traumave, vuajtjeve, dyshimeve, të qeshurave, gëzimeve dhe vendimeve që kemi përjetuar gjatë jetës sonë.

Ajo që përjetojmë mbi lëkurën tonë nuk është vetëm një shenjë sipërfaqësore, por një ngjarje që bëhet menjëherë pjesë e kujtimeve tona, e historisë sonë personale – e asaj kujtese të përdorur si material i formueshëm, për t’u kombinuar dhe për të nxjerrë sërish në sipërfaqe ato shenja të njëjta, duke na i bërë t’i ndiejmë përsëri mbi lëkurë. Sepse, në fund të fundit, shenjat e lëna mbi lëkurë mbeten gjithmonë aty; dhe në momentin që i sjellim sërish në pamje, ato bëhen edhe kujtesë kolektive, qoftë përmes kontaktit fizik apo atij pamor, duke na bërë të pyesim sërish e sërish: ku është kufiri midis meje dhe teje?

_____________________________________________

Projekti i ekspozitës u mbështet nga Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit