Main navigation

Art House School 2024

Art House School është një program rezidencash për artistë të rinj shqiptarë që nga viti 2017, i cili fton në një proces njohjeje dhe ndarjesh praktikash dhe eksperiencash të përbashkëta. 

Ndër vite ky program ka ofruar një platformë shkëmbimi mes artistësh, kuratorësh dhe profesionistësh nga skena e artit bashkëkohor e përtej realitetit të saj, për të ushqyer dhe mbështetur hapësira për shkëmbim kulturor dhe artistik, duke kontribuar kështu në krijimin e pikëtakimeve të reja në fushën e artit e duke pasuruar njëkohësisht edhe diskursin kritik. 

10 artistë nga Shqipëria dhe Ballkani u bënë pjesë e programit: Saša Tatić, Luka Cvetkovic, Jozefina Vokrri, Nora Bzheta, Elsamina Musiq, Nazli Moripek, Xhulian Millaj, Laura Paja, Samela Balazi, Jona Krasniqi. 

Tematika e këtij edicioni ishte “What’s left?”. Pas një ndodhie gjithëpërfshirëse si pandemia e cila e ka tronditur ekzistencën njerëzore në mbarë botën, patëm besuar se do të vendosej një normalitet i ri. Na u desh pak kohë të kuptonim se “plagët” vetëm sa po hapeshin. Me brutalitetin që na përshfaqet çdo ditë, na duket sikur po jetojmë të nesërmen e një katastrofe. Çfarë lind mbas slifitjes dhe shkatërrimit? Çka na mbetet mbas gjithë kësaj? Në një prizëm kolektiv e pak më intim, këto pyetje do të udhëheqin diskursin dhe praktikën e edicionit të ardhshëm të Art House School.

Dy mentorë, Stefano Romano dhe Tea Paci dhe dy kuratorë ndërkombëtarë, Maja Ćirić e Roberto Pinto, shoqëruan grupin e artistëve gjatë programit të rezidencës.

Pjesëmarrësit punuan bashkë mbi një sintezë që përcakton fjalët kyçe më të rëndësishme të lidhura me tematikën e edicionit. Rezultati i këtij kërkimi do të jetë krijimi i një fanzine që përmbledh reflektimet kolektive në dy drejtimet kryesore të kësaj tematike; çka na mbet nga e tashmja dhe çka duhet bërë për të menduar të ardhmen, duke e shndërruar kështu eksperiencën e Art House School në metodologji që mund të përdoret në praktikën artistike të secilit prej artistëve pjesëmarrës.

 

Ky program mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Europe House dhe European Union Delegation to Albania.